Treni Rrogozhinë–Vlorë–Aeroport, projekti gati në qershor, përcaktohet gjurma e re
Projekti paraprak për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë–Vlorë dhe lidhjen me Aeroportin e Vlorës pritet të përfundojë në qershor 2026.
Kontrata për projektin paraprak për rehabilitimin e linjës ekzistuese Rrogozhinë–Vlorë dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin e Vlorës përfundon në qershor 2026. Përfaqësues të Hekurudhës Shqiptare kanë bërë me dije se me mbylljen e kësaj faze do të përcaktohet gjurma e re për lidhjen hekurudhore me aeroportin, si dhe projekti inxhinierik paraprak që do të shërbejë për hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e linjës.
Sipas Hekurudhës Shqiptare, aktualisht janë ende në diskutim alternativat për financimin e projektit, nëse ai do të mbështetet nga buxheti i shtetit apo nga fondet e donatorëve të huaj.
Kontrata dhe kompania fituese
Kontrata për studimin dhe hartimin e projekt-idës për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë–Vlorë, si dhe për projektimin e linjës së re që do të lidhë Vlorën me aeroportin, u nënshkrua vitin e kaluar. Fituese e procedurës është shpallur kompania austriake ILF Consulting Engineers Austria.
Sipas dokumenteve shoqëruese të tenderit, linja ekzistuese Rrogozhinë–Vlorë, me gjatësi 84.27 kilometra, funksionon aktualisht nën kapacitetin optimal për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe nevojës për ndërhyrje të thella rehabilituese.
Linja e re dhe karakteristikat teknike
Në të njëjtat dokumente theksohet se ndërtimi i një linje të re hekurudhore për lidhjen e qytetit të Vlorës me Aeroportin e Vlorës është i domosdoshëm, duke pasur parasysh rolin që aeroporti pritet të luajë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Kompania po harton një projekt zbatimi për një linjë hekurudhore elektrike, e projektuar për shpejtësi deri në 120 km/orë, në përputhje me standardet moderne të transportit hekurudhor.
Objektivat e projektit
Sipas Hekurudhës Shqiptare, zbatimi i këtij projekti synon të ofrojë një shërbim të integruar mes transportit hekurudhor dhe atij ajror, duke e bërë aksesin drejt Aeroportit të Vlorës më të shpejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për udhëtarët.
Një tjetër objektiv kryesor është rritja e sigurisë së lëvizjes, përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe reduktimit të rrezikut të aksidenteve, si dhe krijimi i një alternative efikase transporti për zonën jugore të vendit.